Menu Close

BASHKËBISEDIM

bashkebisedim

Si prindi me prindin!

E keni vënë re?

Edhe ngjarja më e rëndomtë që përfshihet në “kronikën e zezë” nuk mbetet pa u transmetuar nga radiot,televizionet dhe gazetat vendore e kombëtare. Madje, ato meren si “lëndë e parë” për llojë-llojë emisionesh nga gjithologët. Shoqëria civile nëpërmjet studimeve dhe analizave i risjellë në sytë dhe kujtesën e shoqërisë, duke i stisur projekte të financueshme nga donatorë të huaj.

Janë 200 deputetë, ca në parlament e ca rrugëve. E keni vënë re? Fjalimet bukurmëdha të tyre kurrë nuk fillojnë e mbarojnë pa ju referuar krimit. Militantët e gjithë kahjeve zgjatin tërkuzën e krimeve dhe kriminelëve duke i lidhur me emrat e partive dhe të lidërve të tyre. E këto debate politiko-policore futen në çdo familje, në çdo kafene e mejhane, ku “punojnë” me orare të zgjatura gjithë ata që bëjnë rrush e kumbulla pensionet e etërve ose gjyshërve të tyre?. Duket sikur vendi zezon.

Për 5, 15 apo 500 hynekmëdhenj nuk mund të tjetërsohet e vërteta. Në Shqipëri bëhen punë të mëdha nga kompanitë private dhe shteti me paratë e taksapaguesve. Askush nuk i përmend. Pak i dijnë. Pak i shohin. Heshtje për punën. Heshtje për ata që nxjerrin kromin dhe bakrin. Heshtje për ata që modernizojnë dhe dixhitalizojnë shërbimet publike. Heshtje për studentët që diplomohen në universitete prestigjoze europiane dhe kthehen të shërbejnë në atdhe. (Ndërkohë ne flasim vetëm për ata që ikin). Ka një bum eksportesh të prodhimeve bujqësore, e kjo tregon se fermerët po miqësohen me tregjet. Ne heshtim sepse fermerët gjithë djersë e me kapele kashte në kokë nuk dalin edhe aq bukur në televizor. Pakashumë kjo është qasja e shoqërisë ndaj punës. Ose më saktë , e medias ndaj punës. Ndërtohet hidrocentrali i Devollit e vihet në shfrytëzim, por për këtë vepër të rëndësishmë energjitike, vështirë të gjesh në arkivat e medias audiovizive pamje nga kantieri i saj. Për Shullazët e kompani janë botuar me qindra kronika dhe njoftime të ndryshme. Sikur Shullazi të ishte Skënderbeu!!

Janë dhjetë mijë për të mos thënë 100 mijë nxënës dhe studentë ekselentë. Për ta asnje kronikë. Asnjë lajm. Asnjë fjalë. Meqë janë të “vegjël”, por këta janë të “vegjëlit” e mëdhenj. Shumë shpejtë ata do të jenë ekselentët e ardhshëm të Shqipërisë, qytetarë europianë të klasit të parë. Shoqëria është memece ndaj tyre. Heshtja i vret talentet, i demotivon. Kjo është arsyeja që u drejtohemi si prindi-prindit që të bëjmë gjithçka për të stimuluar të rinjtë dhe gjithë shoqërinë që me vullnet dhe përkushtim studio, lexon,kualifikohet,arsimohet, zgjeron njohuritë, i thellon ato, përvetëson gjuhët e huaja, fiton trofe në olimpiada e konkurse rajonale dhe ndërkombëtare, ngre lartë flamurin kombëtar përpara shkollës si nxënës/nxënëse ekselentë në mes të Athinës e në shumë vende të tjera. E ndërkohë për muaj të tërë mediat merren me babalet e sojësorrollopët e tyre.

Si prindi prindit!! Të bëhemi bashkë që të promovojmë punën dhe sukseset e rinisë, që ky vend mos të ketë më babale e Shullazë.

Ndryshimi i imazhit të Shqipërisë është një vepër madhore. Vetëm atëhere, rruga e Shqipërisë drej BE-së është e hapur plotësisht. Kanat më kanat, vecse më parë i duhet hapur rruga rinisë shkollore dhe studentore.

Posted in MARATHONOMAKU YNE